Meta këmbëngul: 30 Qershori i paligjshëm, ejani të bëjmë 3 palë zgjedhje në 13 Tetor

  • 5 years ago
TIRANE-Pak orë para seancës së Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e tij dhe protestës së 10-të të opozitës, Presidenti i Republikës Ilir Meta këmbëngul në propozimin e tij që shqiptarët në 13 Tetor të zgjedhin kryebashkiakët e rinj, parlamentin dhe Presidentin. "Duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend u bëj thirrje të gjithë aktorëve t?i bashkohen propozimit që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës" thotë ai.

Duke u ndalur te dekreti për zgjedhjet lokale në datë 13 Tetor, kreu i shtetit thotë se është i detyrueshëm për zbatim për të gjithë dhe se i është përcjellë edhe KQZ-së. "Ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Ky akt i është përcjellë menjëherë për zbatim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve". Meta shprehet se duke vënë në dukje këtë situatë, sipas tij të qartë se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit.

Presidenti i rikthehet edhe njëherë sulmit mbi KQZ-në, Kolegjin dhe shumicën përsa i përket vendimit për të mos njohur aktin e zhdekretimit të 30 Qershorit prej tij. Ai përsërit se është një akt me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si i tillë askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tij. "Vendim i Kolegjit Zgjedhor, nuk ka urdhëruar në dispozitivin e tij asnjë detyrim që të krijojë pasoja juridike mbi dekretin dhe Institucionin e Presidentit të Republikës, e rrjedhimisht edhe mbi faktin e anulimit të datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve" e mbyll ai, duke mos njohur zgjedhjet që u zhvilluan javën e kaluar në Shqipëri për kryetarët e rinj të bashkive.

Me 8 qershor Presidenti doli në një konferencë ku nxori edhe dekretin e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Pas kësaj tensionet politike u shtuan, ndërsa presidenti nxori një tjetër dekret. Dekreti i Metës shkoi deri në Kolegjin Zgjedhor ku gjykatësit me vota unanime i hapën rrugën 30 qershorit. Ndërkohë vetëm tre ditë para zgjedhjeve lokale, kreu i shtetit, nxori një dekret tjetër ku kërkonte që data e zgjedhjeve të ishte 13 tetori, për të cilin edhe opozita është e përçarë, pasi Basha është kundër dhe Kryemadhi pro. Megjithatë qeveria u tregua e vendosur dhe zgjedhjet u kryen qetësisht më 30 qershor. Ndërsa për sa i përket presidentit, janë hedhur hapat e parë drejt shkarkimit të tij, ndërsa sot votohet ngritja e komisionit.

Recommended