Report TV - Peshkopi, po filmonte me celular operacionin e FNSH, goditet gazetari, policia: Ndjesë

  • 5 years ago
Mbrëmjen e sotme gjatë një operacioni që u zhvillua në Dibër për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë është regjistruar një incident, pasi është goditur gazetari Enver Doçi. Pamjet e filmuara nga persona që ishin të pranishëm kanë regjistruar ngjarjen dhe episodin kundër gazetarit, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. "Nxora telefonin dhe po xhiroja, kartën e gazetarit ma tërhoqën dhe ma këputën, më hodhën telefonin, kur tentova ta marr më goditën me qytën e automatikut në këmbën e majtë dhe i ra karrikatorja poshtë. Erdhi një tjetër dhe më goditi pas kurrizit te këmba, por nuk e pashë. Më morën telefonin, i ranë me shkelm" tha gazetari Doçi. Pas ngjarjes ka reaguar Policia e Shtetit duke shprehur keqardhje dhe kërkuar ndjesë ndaj gazetarit për ngjarjen, por shton nuk arritën që ta identifikonin në kohë se ishte punonjës i medias dhe se aksioni ishte kompleks, pasi u arrestua një person me precedent të shumëfishtë penal.

"Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks. Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar. Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin. Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit. Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin. Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave" thotë policia.

Recommended