Keshilli i Europes anulon delegacionin per zgjedhjet
  • 5 years ago
Kur na ndajnë katër ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, Këshilli i Europës anulon delegacionin e vëzhgueseve në Shqipëri. Përmes një email-i drejtuar selive të partive politike, KiE sqaron se shkak për tërheqjen e vëzhgueseve janë rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara dhe paqartësisë në lidhje me organizimin e zgjedhjeve vendore.

"Në vijim të e-mailit të mëposhtëm, me të cilin ju ftojmë në një takim me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës, po ju informojmë se Udhëheqja e Kongresit (Presidenti në konsultim me dy Presidentët e Dhomave, në përputhje me rregullat e Kongresit) ka vendosur të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion Vëzhgues  Zgjedhjesh nga Kongresi për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara.?

Kongresi i Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës është autoriteti më i lartë që monitoron zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Europë. Në Shqipëri, delegacioni i KiE-s përbën 30% të numrit të vëzhguesve që monitorojnë zgjedhjet lokale e në përbërje të tij ka europarlamentarë dhe ekspertë të autoriteteve vendore.

Tashmë vëzhgues do të ketë vetëm ODIHR-i, i cili përveç një ekipi bazë të ekspertëve, do të kërkojë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së 22 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur procesin zgjedhor në të gjithë vendin, si dhe 250 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar procedurat e ditës së zgjedhjeve, përfshirë votimin, numërimin e vota dhe nxjerrjen e rezultateve.
Recommended