Report TV -Ja 27 deputetët e opozitës së re që duan shkarkimin e Presidentit

  • 5 years ago
27 deputetë të opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë mbështesin nismën e Partisë Socialiste për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, pas vendimit të paprecedentë dhe pa bazë ligjore për zhbërjen zgjedhjeve të 30 qershorit. Shqiptarja.com ka identifikuar emrat e deputetëve të opozitës së re, të cilët votuan gjatë seancës së ditës së enjte pro rezolutës, e cila kundërshton dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, denoncon aktin e Presidentit si antikushtetues, konfirmon vullnetin për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor si dhe paralajmëron kreun e shtetit që të reflektojë dhe të mos ndërmarrë asnjë hap tjetër antikushtetues. Nga 100 deputetë që votuan pro rezolutës, 27 i përkasin opozitës së re. Në kushte kur shumica ka 79 vota në Kuvend, votimi i rezolutës konfirmon se maxhoranca ka siguruar 106 vota nga 94 që duhen për shkarkimin e kreut të shtetit. Nga grupi parlamentar demokrat kanë votuar pro rezolutës dhe rrjedhimisht janë pro shkarkimit të Ilir Metës: Arlind Cacani, Arben Elezi, Halil Jakimi, Korab Lita, Myslim Murrizi, Halit Valteri dhe Alban Zeneli.

Në radhët e deputetëve të pavarur kanë votuar pro rezolutës kundër dekretit të Metës: Ediola Braha, Aurora Mara, Nimet Musaj, Enver Roshi dhe Ylli Shehu. Ndërkaq, pro rezolutës kanë votuar edhe 15 deputetë, të cilët nuk i përkasin asnjë grupi parlamentar në Kuvend. Ata janë: Eugen Bojaxhiu, Kujtim Gjuzi, Majlinda Halilaj, Selami Janishehri, Ligoraq Karamelo, Reme Lala, Ervis Meço, Kostaq Papa, Andi Përmeti, Edmond Rrushi, Krenar Rryçi, Nikolin Staka, Edmond Stojku, Elena Xhina dhe Zef Shqefni. Përveç deputetes Reme Lala e cila ishte pjesë e listave të PDIU, të gjithë deputetët e tjerë u përkasin listave të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet parlamentare të 2017. Nuk ka dyshim se ky votim ishte një test dhe provë force nga mazhorancës qeverisëse, e cila i dha një mesazh të qartë presidentit Meta se është gati ta shkarkojë. Pak orë më pas, kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Metës që ta lexojë mirë votimin pro rezolutës. Por, nga ana e tij, Meta i është përgjigjur një ditë më pas, duke kërcënuar me shpërndarje parlamenti.

Recommended