Vrau 24 vjeçarin për një vend parkimi, policia shpall në kërkim autorin nga Tirana

  • 5 years ago
Policia shpall në kërkim autorin e vrasjes në Laç mbrëmjen e djeshme në afërsi të stadiumit pas një debati të nisur për një vend parkimi.

Festa e Shna Ndout në Laç është përgjakur nga një vrasje më armë zjarri për motive të dobëta.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme në afërsi të stadiumit të qytetit, ndërsa viktimë mbeti Viktor Shkorreti 24-vjeç me origjinë nga Mirdita, por që jetonte prej vitesh me familjen në Laç.

Burime për Report TV bëjnë me dije se viktima dhe autori, i identifikuar si 32 vjeçari Emanuel Koca, banues në Tiranë, janë konfliktuar mes tyre për një vend parkimi. Kjo për shkak te pelegrinazhit te Kisha e Shna Ndout në Laç, ku ka pasur fluks të jashtëzakonshëm automjetesh dhe mungesë vendparkimesh. Autori ka dashur të parkojë automjetin në afërsi të banesës së viktimës, por nuk është lejuar nga ky i fundit.

Mes tyre ka nisur një sherr, të cilët janë përleshur me njëri-tjetrin, dhe në këtë moment autori ka nxjerrë armën automatike duke qëlluar me breshëri ndaj 24-vjeçarit Shkorreti, në afërsi të banesës së tij.

Më pas, autori Emanuel Koca, duke përfituar dhe nga errësira është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar policisë e cila u vu menjëherë në ndjekje të tij.

Policia po kreh të gjithë zonën dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit të ngjarjes. Autoritetet e Kurbinit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes.

Recommended