Negociatat, Gjermania shtyn vendimin per ne Vjeshte

  • 5 years ago
Gjermania nuk do të shprehet në Qershor për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Konfirmimi vjen nga zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU / CSU, Johann David Wadephul. Shkaku sipas tij, është mospërmbushja e kushteve të vëna nga BE në vitin 2018.

"Një analizë fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim siç u la porosi nga ministrat e Jashtëm të BE më 26 Qershor 2018".

Edhe pse reforma në drejtësi cilësohet si shembullore nga Brukseli, për CDU/CSU-në sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk është ende funksional.

"As Gjykata Kushtetuese, as Gjykata e Lartë nuk punojnë. As SPAK-u dhe as BKH-ja nuk u krijuan ashtu siç u premtua. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak raste të hetimit të korrupsionit në nivelet e larta. Janë të dobëta përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar. Përveç kësaj, asnjë institucion ligjor nuk është krijuar për të hetuar politikanët dhe personat të cilët janë të lidhur me blerjen e votave. Në fund të fundit, Kodi i ri Zgjedhor i kërkuar nga ministrat e Jashtëm ende nuk është vendosur".

Në deklaratën e CDU/CSU thuhet se Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t'u përgatitur për negociatat e pranimit dhe se vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE në Shtator. Këtu përfshihet edhe vendosja e dialogut të vërtetë midis qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën politike.

Tv Klan

Recommended