Vezhgues ne zgjedhje pa opoziten? Glover: Nuk me ka ndodhur ndonjehere
  • 5 years ago
Në një konferencë për shtyp në Tiranë, drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, për vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, Audrey Glover u shpreh se interesi i OSBE-së është që në Shqipëri procesi zgjedhor të jetë transparent. E pyetur nga gazetarët sesi do të ndikonte në raport mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet e 30 Qershorit, Glover tha se kjo nuk do të ndikonte në punën e tyre.

"Atë që bëjmë gjithmonë, ne do të raportonim, do të reflektonim atë çka do të shihnim vetë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Do të kishim një ditë pas zgjedhjeve raportin tonë të parë me konstatimet të atyre çka do shihnim".

Ambasadorja Glover u pyet edhe nëse kishte qenë në ndonjë vend me mision, ku opozita nuk kishte marrë pjesë në zgjedhje: "Në fakt jo, nuk më ka ndodhur ndonjëherë të vëzhgoj zgjedhje në një vend ku opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje", tha ajo.

250 vëzhgues afatshkurtër do të monitorojnë procesin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit në Shqipëri. Ambasadorja Glover u shpreh se misioni do të ketë 10 vëzhgues bërthamë dhe 18 vëzhgues afatgjatë. Misioni do të dalë me një raport para zgjedhjeve, po ashtu ditën pas zgjedhjeve për konstatimet paraprake. Raporti përfundimtar do të publikohet 8 javë pas zgjedhjeve./tvklan.al
Recommended