Shtimi i popullsisë vijon drejt uljes në Shqipëri, femrat vendosin karrierën para familjes

  • 5 years ago
Shtimi i numrit të popullësisë për vitin 2019 ka shënuar një rënie drastike në tremujorin e parë, ku numri i lindjeve e tejkalon vetëm me 37 numrin e vdekjeve. Krahasuar kjo me tremujorin e parë të vitit 2018 kemi një rënie prej 10.1 % të numrit të lindjeve. Referuar këtyre shifrave, për Report Tv sociologia Arjana Muça, e cila është edhe pedagoge te Shkencat Sociale shpjegon faktorët social që ndikojnë në uljen e shtimit të popullësisë. Muça tha se kjo problematikë është kthyer në shqetësim global, dhe se një prej shkaqeve është edhe interesi në rritje i femrave për të bërë karrierë.

?Nuk kemi më atë familje ku burri sjell të ardhura në shtëpi, dhe gruaja kujdeset për fëmijët, por kemi një familje ku të dy janë kontribues, dhe gruaja po e shikon veten në karrierë. Duke e parë veten në karrierë, sjellë atë e të menduarit edhe më vonë për të pasur ose për të sjellë në jetë një fëmijë. Pra në plan të parë ka dalë karriera, pastaj ardhja në jetë e një fëmije" tha ajo.

Shqiptarët çdo ditë e më shumë po preferojnë bashkëjetesat duke shmangur martesat ligjore. Fakti që partnerët nuk kanë detyrime ligjore, mund të shkaktojë pasiguri duke bërë që çiftet të ngurrojnë të sjellin në jetë një fëmijë. Këtë e pohon sociologia Muça, e cila gjithashtu shprehet se shumica e çifteve preferojnë të kenë familjen bërthamë, ndryshe nga vite më parë kur familja përbëhej nga 5-6 anëtarë.