Opozita proteste me 25 Maj, Basha: Perballje totale popullore

  • 5 years ago
Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë vendosur që protesta e radhës së opozitës do të jetë më datë 25 Maj në orën 19:00. Lajmi është bërë i ditur nga kryedemokrati Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike  shprehet i vendosur se zgjedhje më 30 Qershor nuk do të ketë. Në një komunikim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së forumeve të PD-së, Basha theksoi se përballja me Qeverinë do të vazhdojë dhe opozita do të vijojë përballjen popullore.

"Gjatë gjithë ditës së sotme, forumet më të larta të PD dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë ku ndodhet vendi. Jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Në këto kushte në vend që t'i hapë rrugë kërkesës mbarëpopullore për zgjedhje të parakohshme, Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasje me popullin. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve dhe vrasësve që ka futur në partinë e tij. Zgjedhje nuk do të ketë. Edhe formalisht vendi është me një regjistër të gjendjes civile të masakruar. Mbi 1.4 milionë shqiptarë iu kanë skaduar kartat e identitetit. Edhe nga pikëpamja formale zgjedhjet më 30 Qershor nuk do të mbahen. Por edhe nga pikëpamja politike nuk do të mbahen.

Pyetja është tani se çfarë do të ndodhë. Do të pranohet që grushti i shtetit të çohet deri në fund dhe tirania e krimit të instalohet në të gjitha nivelet, apo do ketë përballje totale popullore. Vendimi unanim i opozitës është përballje popullore. Që do të thotë se nga ky moment ne jemi çdo ditë bashkë me qytetarët në një përballje pa kthim me ushtarët e juntës kriminale në pushtet deri sa të diktojmë kthimin tek demokracia. Asgjë nuk mund të kursehet në këtë betejë. Kush ul kokën do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit se skenari tjetër është që Shqipëria të bjerë si demokraci dhe të kthehet edhe de juro në një juntë kriminale", u shpreh Lulzim Basha.

Kryedemokrati akuzoi Kryeministrin Rama se në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore ka futur vrasës apo persona që mbështeten prej tyre. Në këtë pikë, Basha ka folur me emrat teksa ka përmendur Ymer Lalën dhe Abedin Oruçin

"Ka dramë më të madhe se sa mediat kryesore të vendit t'u drejtohen vrasësve me pagesë si Abedin Oruçi, vrasës me pagesë i Partisë Socialiste sot kandidati i bashkimeve profesionale të Partisë Socialiste, si biznesmenë? Vrasësi Ymer Lala si biznesmen", deklaroi kryetari i PD Lulzim Basha.

Recommended