Report TV - Gjykata e Lartë në prag mbyllje, anëtari i fundit pa mandat
  • 5 years ago
Gjykata e Lartë shumë shpejt mund të ketë fatin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka mbetur vetëm me një anëtare, konkretisht Vitore Tushën, të cilës i ka mbaruar mandati, pasi është emëruar që në mars të 2008. Deri më sot, filtrit të trefishtë të Vetingut i kanë mbijetuar përfundimisht vetëm dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani dhe Medi Bici.

Por, Dvoranit i ka mbaruar mandati 9-vjeçar, pasi është emëruar në këtë institucion që në 17 shkurt 2005. Ndërkaq, Medi Bici nuk është më sot anëtar i Gjykatës së Lartë pasi është zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtari Edmond Islamaj dhe kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Apelimit, pra shkalla e parë e Vetingut, por fati i tyre do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Shkarkimi i Zaganjorit është rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, me argumentin se ?Xhezair Zaganjori nuk ka sjellë asnjë dokument, si për shembull deklarime bankare, lidhur me të ardhurat nga mësimdhënia në universitet, kostot e qirave, shpenzimet familjare, ndonëse një gjë e tillë i është kërkuar në mënyrë specifike.

Si kryetar i Gjykatës së Larë dhe një nga zyrtarët më të lartë të gjyqësorit në Republikën e Shqipërisë, Zaganjori duhet të kishte respektuar të gjitha ligjet dhe rregullat në fuqi. Sipas asaj që u dëshmuar më lart, ai nuk ka zbatuar detyrimet ligjore që kërkohen nga neni D i Kushtetutës së Shqipërisë. Për sa më sipër, ky organ rekomandon apelimin kundër vendimit të datës 24 korrik 2018 të KPK?.

Edmond Islamaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut, mbylli dje shqyrtimin gjyqësor për fatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në datën 7 qershor të 2018, vendosi të konfirmonte në detyrë Islamajn. Ndërkaq, Komisioneri Publik, më 11 korrik të 2018, vendosi t?i kërkonte Kolegjit të Apelimit shkarkimin e gjyqtarit Islamaj nga detyra.

Kolegji i Apelimit zhvilloi seancën e parë gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit në 12 nëntor të 2018, ndërsa seancën e fundit e zhvilloi ditën e djeshme. Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues dëgjoi konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, të zbardhura nga Shqiptarja.com, ku si përfundim kërkoi shkarkimin nga detyra të Edmond Islamajt si dhe konkluzionet përfundimtare të Islamajt, i cili si përfundim kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si një vendim i drejtë, i mbështetur në fakte e prova dhe i bazuar në ligj e Kushtetutë. Kolegji vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor si dhe të shpallë vendimin përfundimtar në datën 22 maj.
Recommended