Rama: Opozita po izolohet nga ndërkombëtarët, në Berlin ZERO fjalë për zgjedhjet
  • 5 years ago
Me të mbërritur në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mblodhi jashtë radhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste që ai drejton, ku foli me detaje në lidhje me çfarë ndodhi në Samitin e Berlini, që mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit të Francës Emanuel Macron.

Kreu i qeverisë tha se nuk shkoi në Berlin për të mësuar se cili do të ishte vendimi i Gjermanisë sa i përket procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Rama, i cili njëjtë si kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, pati një takim të veçantë me kancelaren Merkel, tha se "nuk shkoi në takim për t'u njohur me vendimin e Gjermanisë në zyrën e kancelares". Ashtu si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut është në pritje për të mësuar vendimin e vendeve të BE-së për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.

Për shkak të çështjeve të brendshme të Bundestagut gjerman, ky vendim, që pritej të merrej në fillim të muajit qershor, do të merret në vjeshtë, në shtator pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian.

"Është folur për shtatorin nga pala gjermane por kurrsesi për mosçeljen e negociatave për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë", tha Rama para ministrave dhe deputetëve socialistë.

Rama tha se Gjermania vlerësoi arritjet e Shqipërisë në rrugën e reformave.
Recommended