Gjermania vendos ne Shtator per negociatat

  • 5 years ago
Gjermania do të shprehet në Shtator rreth qëndrimit që do të mbajë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nënkryetar i grupit parlamentar të partisë së kancelares Merkel CDU/CSU, Johan Wadephul, nënvizon se vendimi do të merret pas zgjedhjeve për Parlamentit Europian.

Johann Wadephul, nënkryetar i grupit parlamentar CDU/CSU : Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t'i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman.

Sipas tij, vendi ynë ka bërë progres në disa drejtime, por ka ende sfida që kërkojnë angazhimin e autoriteteve.

"Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet".

Në një intervistë për Deutsche Welle, Vadeful komenton edhe situatën e brendshme politike në Shqipëri, duke i bërë thirrje Partisë Demokratike të marrë pjesë në zgjedhje.

"Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Një ditë ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Europian nëse forcat pro-europiane, qofshin ato pro-Rama, apo pro-Basha,  janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda".

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU vlerësoi gjithashtu angazhimin e kancelares Merkel dhe presidentit Macron për tejkalimin e tensioneve Kosovë- Serbi, në mënyrë që negociatat të mos ngecin për grindjet territoriale

Tv Klan

Recommended