PD bllokon rrugën në Bradashesh, policia mundëson kalimin pa probleme të eskortës së Ramës
  • 5 years ago
PD bllokon rrugën në Bradashesh, policia mundëson kalimin pa probleme të eskortës së Ramës Aksioni politik i Partisë Demokratike kundër qeverisë ju rikthye bllokimit të rrugëve. Çdo të enjte, akset kryesore në veri dhe në jug përmes të cilave bëhet lidhja me Tiranën do të bllokohen për një orë, duke paralizuar në trafik përdoruesit e rrugës. Po ashtu, sa herë që kryeministri Edi Rama do të ketë takime në qytete të ndryshme, do t'i bllokohet rruga nga ish-deputetët demokratë dhe militantët e kësaj force politike. Prita ju bë sot në Bradashesh, në hyrje të qytetit të Elbasanit, ku kreu i qeverisë ndalet në turin "Bashkia që Duam" për zgjedhjet lokale.

Një grup protestuesish të udhëhequr nga ish-deputetët Luçiano Boçi, Edmond Spahi dhe Endri Hasa u stacionuan në mes të rrugës duke sjellë bllokimin në trafik të automjeteve, jo vetëm makinave të vogla por edhe autobusëve me pasagjerë. Forcat e policisë së Elbasanit, të mbështetura edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, mundën të shpërndajnë turmën e protestuesve duke hapur rrugën. Megjithatë, gjatë gjithë kohës pati përpjekje për të dalë sërish në rrugë. Kur eskorta e kreut të qeverisë po mbërrinte, turma u revoltua teksa nuk mungoi edhe hedhja e shashkave. Por FNSH dhe policia, nën drejtimin e kreut të bluve të Elbasanit Albert Nushi, mundësuan kalimin pa probleme të eskortës.

Në pamjet e transmetuara Live në Facebook e Partisë Demokratike, shihej se si ish-deputetët dilnin para autobusëve duke mos lejuar kalimin e tyre. Në vendngjarje ishin edhe forcat zjarrfikëse ndërkohë që situata u tejkalua pa përplasje të mëdha.

E paprecedentë ishte protesta dje në Shkodër. Në urën e Bahçallëkut në hyrje të qytetit PD dhe militantët dogjën gomat për t'i zënë rrugën kreut të qeverisë në turin e takimeve në kryeqendrën e veriut. Por të dëmtuar dolën vetëm qytetarët që duhej të kalonin në atë rrugë, dhe një ambulancë e cila nuk u lejua nga mbështetësit e PD-së që të kalonte duke u detyruar të ndërrojë rrugë.
Recommended