Lleshaj: Banda e Rinasit nga më të rrezikshmet! Haxhi Mileti i bën avokatinë

  • 5 years ago
Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të një pjesë të mirë të të përfshirëve në grabitjen e ndodhur më 9 prill në aeroportin e Rinasit. Një bandë nga më të rrezikshmet me të cilat Policia është përballur, e cilësoi ministri grupin që grabiti rreth 6 milionë euro në pistën e avionëve brenda aeroportit. Drejtuesi i grupit, që dyshohet të ketë qenë Admir Murataj u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes, ndërsa Lleshaj sot në fjalën e tij në Kuvend, përmendi rrezikshmërinë që përfaqëson kjo bandë. Thyerje burgjesh, vjedhje bankash, sulme me armë ndaj policisë, dhe lidhje të dokumentuara sipas tij me celula të rrezikshme terroriste. Përkundër kësaj, ministri i Brendshëm tha se policia arriti të zbardhë në mënyrë shteruese përbërjen dhe veprimtarinë e tij grupi.

Duke u ndalur tek sulmi që opozita tashmë jashtë Parlamentit, i bën punës së policisë, Lleshaj tha se arsyeja e kësaj goditje është frika nga reforma në drejtësi. Ish-kryeministrit Sali Berisha i cili i doli në mbrojtje të arrestuarve për grabitjen në Rinas, Lleshaj ju drejtua me personazhin e Ismail Kadarese, Haxhi Mileti.

"Është një shenjë e trishtë e degradimit të madh jo vetëm politik, por edhe moral dhe atdhetar të një grupi të caktuar parapolitik, i cili krijon dëm në përpjekjen e tij për të mbijetuar në kushtet e vështira të një reforme, e cila e bën të vështirë mbijetesën e atyre që kanë borxhe të mëdha me ligjin dhe me publikun në tërësi.

Edhe sulmi ndaj Policisë së Shtetit krahas institucioneve është shenjë e këtij dëshpërimi të madh. Ditët e fundit kemi qenë të gjithë dëshmitarë të një intensifikimi të madh të sulmeve ndaj Policisë së Shtetit, jo vetëm sulmeve fizike me fishekzjarrë dhe gurë, por dhe sulmeve verbale, të cilat për çudi nuk po pushojnë edhe në rastet kur policia shënon suksese shumë të rëndësishme. Rasti i Rinasit, i cili u përmend pak nga z. Balla, është vetëm njëri prej tyre. Në një hark shumë të shkurtër kohor, vetëm pak ditë pas një sulmi i cili u finalizua me një grabitje të madhe mjetesh financiare në Rinas, Policia e Shtetit arriti të zbardhi shumë shpejt, në mënyrë shteruese, të dokumentojë, të provojë në mënyrë shkencore me dëshmi dhe me prova materiale, një vepër shumë të rëndë kriminale, e cila ka tronditur me të drejtë një pjesë të madhe të opinionit publik. Dhe ajo që nuk kuptohet është që edhe në këto kushte vijon një sulm, i habitshëm, për shumëkënd, për mua jo i habitshëm, i cili kryesohet nga një person, të cilit nuk po ia përmend emrin. I kam vënë edhe unë një emër, i them ?Haxhi Mileti?, në shenjë proporcioni me faktin që edhe ai zotëria ka hequr dorë nga adresimi i njerëzve me emrin e vërtetë. Të gjithëve u vë një emër tjetër. Edhe unë i kam gjetur një emër. Besoj nuk ka nevojë ta shpjegoj se çfarë nënkupton. Ata që kanë lexuar Kadarenë e dinë se kush është ?Haxhi Mileti?.

Recommended