Emërimi prokuror i burrit të Ermonela Felajt , Alibeaj: Antikushtetuese, s'ka mbaruar shkollën

  • 5 years ago
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi antikushtetues emërimin si prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë në Tiranë të bashkëshortit të deputetes Ermonela Felaj, Bledar Valikaj. Nga selia blu, Alibeaj ka publikuar dokumente, sipas së cilit Valikaj nuk ka shkollën e duhur dhe as nuk ka kaluar në vetting. Ai thekson se kryeministri po synon që të kap drejtësinë dhe e ka etiketuar bashkëshortin e deputetës, Valikaj si një "ushtar" të Ramës.

"Emërimi i burrit të deputetes socialiste është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi në të paktën 2 pika.

1. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk e ka përfunduar këtë shkollë. 2. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të vetingut. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk ka kaluar në veting. Përdorimi politik i organeve të reja të drejtësisë dhe i vetingut shpjegon pse 63 përqind e shqiptarëve nuk besojnë më tek vetingu dhe pastrimi i sistemit të drejtësisë.

Shqiptarëve iu premtua se reforma në drejtësi do të zgjidhte problemet e mëdha të vendit: politikanët e korruptuar do të ndëshkoheshin, krimi do të merrte dënimin e merituar nga drejtësia e reformuar. E vetmja gjë që po ndodh është se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po mbahen në sistem, politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar janë të paprekshëm dhe se sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë vetëm për familjarët e pushtetarëve.

Nëse reforma në drejtësi u bë për të emëruar pa veting dhe në mënyrë antikushtetuese burrin e Ermonela Felajt, atëherë ajo ia ka arritur qëllimit. Edi Rama ka edhe një ushtar më shumë në drejtësinë e deformuar sipas interesave të tij", tha Alibeaj.

Recommended