Meta kerkon zgjidhje politike

  • 5 years ago
Zgjidhje politike propozon Presidenti Ilir Meta teksa fton mazhorancën dhe opozitën të ulen në një tryezë për të diskutuar rrugët e daljes nga situata që ka krijuar djegia e mandateve të opozitës. Sipas tij, dy forcat kryesore kanë detyrimin të ngrihen mbi interesin partiak dhe të shohin me prioritet të ardhmen e vendit.

?Unë besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Unë besoj se ka një hapësirë të gjerë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe secili të reflektojë.?

Kreu i shtetit u kërkoi palëve të reflektojnë për të mos çuar dëm siç tha përparimin që vendi ka bërë pas ngjarjeve tragjike të 97-ës, duke thënë se rruga e forcës nuk i shërben kthimit të normalitetit.

?I nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve dhe antimitingjeve të panevojshme.?

Dy javë më parë kreu i Shtetit tha se ishte i gatshëm të dorëhiqej nga posti, por edhe të vetësakrifikohej deri me jetë në shembullin e Presidentit kilian, Salvador Allende, për të parandaluar instalimin në vend të një junte ushtarake që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas. Mesazhet për dialog kreu i shtetit i bëri nga Durrësi në përkujtim të 7 Prillit 1939, duke iu bashkuar ceremonisë se 80-vjetorit të rezistencës antifashiste organizuar nga bashkia e qytetit.

Tv Klan

Recommended