Çfarë po ndodh me kanabisin stok në Shqipëri, trafikantët e 'kthejnë' në ...çokollatë!

  • 5 years ago
Trafiku i kanabisit në vendin tonë, duket se ka përparuar në një tjetër nivel, duke kaluar nga bima tek shitja e lëndës narkotike në formën e çokollatës.

Vetëm gjatë ditës së sotme, dy operacione, policia e shtetit ka sekuestruar 22 kg kanabis çokollatë, ndërsa në pranga janë vënë 7 persona.

Operacioni i parë është zhvilluar në Lushnje ku u ndaluan në flagrancë 5 persona, si dhe u sekuestruan 21 kg kanabis çokollatë.

Ndërsa në Fier, babë e bir janë ndaluar ku u janë zbuluar dhe sekuestruar rreth 900 gram kanabis çokollatë.

E gjithë kjo sasi kanabis çokollatë, ka ngritur dyshime të forta për një sofistikim të trafikut të drogës. Kjo pasi lënda narkotike çokollatë, është një drogë më e shtrenjtë dhe më e përpunuar se sa bima e kanabisit.

Konkretisht, mësohet se për të prodhuar 1 kg kanabis çokollatë, nevojiten rreth 100 kg kanabis. Shto këtu edhe pajisjet e nevojshme për ta përpunuar bimën.

Ndërkohë që çmimi i saj në treg, varion nga 20-40 dollarë për gram.

Dhe në një kohë kur puna e policisë vitet e fundit ka qenë e përqendruar në luftimin e parcelave me kanabis, krijohen dyshime të forta, se trafikantët, po përdorin këtë metodë të re për të trafikuar lëndën narkotike të mbetur stok

Recommended