Blegtoret e fermeret hedhin prodhimet ne rruge

  • 5 years ago
Në shenjë proteste ndaj uljes së kompensimit të tatimit mbi vlerën e shtuar në sektorin e bujqësisë, fermerë e blegtorë nga Berati, Lushnja, Fieri, Kavaja dhe Shkodra derdhën qumësht dhe hodhën perime në rrethrrotullimin e Savrës.

Ata refuzojnë që të shesin më lirë prodhimet e tyre, pasi kjo do të bëjë që të dalin me humbje.

Në Janar të këtij viti hynë në fuqi ndryshimet ligjore, ku masa e kompensimit të TVSH-së për fermerët u ul nga 20 në 6%, çka do të bëjë që në rastin e qumështit, fermerët ta shesin me 6 lekë më pak, dhe po ashtu të marrin edhe më pak rimbursim.

Deri më sot barrën e TVSH-së 20% duke e blerë më shtrenjtë produktin e kanë mbajtur industrialistët përpunues të kësaj lënde, por ata dhanë ultimatum një javë më parë se afati i fundit që do të blejnë produktet më shtrenjtë është 14 Marsi.

Nga ana e saj Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka firmosur udhëzimin, i cili bën të zbatueshëm ligjin e ndryshuar në fund të Dhjetorit 2018, duke futur në TVSH edhe fermerët. Vendimi urdhëron që TVSH-ja në shitje për ta të jetë 6% dhe rimbursimi po aq, duke bërë që produkti të shitet më lirë dhe kompensimi të jetë më i ulët. Shoqata e agropërpunuesve thotë se duke nisur nga nesër, do të marrë më lirë produktet e fermerëve e në rast kundërshtimi do të refuzojë blerjen e tyre në tregun vendas.

Tv Klan

Recommended