Rudina Hajdari krah ambasadorit si qytetare, Soreca - palëve: Bëhuni gati për zgjedhjet lokale

  • 5 years ago
Rudina Hajdari nuk ishte shfaqur më publikisht, prej vendimit të saj për të mos djegur mandatin e deputetes, një hap kundër Partisë Demokratike, aleatëve të djathtë dhe LSI-së që hoqën dorë në bllok nga mandatet. Por këtë të premte, Rudina Hajdari, vajza e deputetit të ndjerë, dhjetoristit Azem Hajdari, është shfaqur në krah të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, dhe deputetes së PS-së, Eglantina Gjermeni.

Ambasadori ishte në Bashkinë e Vaut të Dejës, nga ku uroi gratë dhe vajzat për 8 Marsin dhe njëherazi inauguroi një qendër për gratë në këtë zonë.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, kryediplomati i BE-së, foli edhe për situatën politike në vend. E quajti të rrezikuar integrimin e Shqipërisë, për shkak të krizës politike, me opozitën tashmë jashtë parlamentit. Soreca i bëri apel për dialog palëve, megjithatë shtoi se opozita e ka ndërmarrë një hap që nuk njeh kthim pas, siç është djegia e mandateve. Ambasadori i BE-së, i bëri thirrje politikës të bëhet gati për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pasi siç ai theksoi, është detyrë e tyre tu përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Ndërkohë, deputetja Rudina Hajdari në një prononcim për gazetarët u fokusua tek simboli i kësaj dite, 8 Marsit, duke thënë se gjithmonë duhet të ngrihet zëri për liritë dhe të drejtat e tyre. E pyetur nga gazetarët nëse sot flet si deputete, Hajdari u përgjigj: Jo, fola si qytetare e Shqipërisë.

Deputetja e Partisë Demokratike, ndodhej në Amerikë kur përmes një statusi në Facebook njoftoi vendimin e saj pas konsultave me ndërkombëtarët, se nuk do të hiqte dorë nga mandati.

Recommended