Opozita mbyll pa dhunë protestën e katërt, Basha: Më 16 mars 'përcjellim' Ramën

  • 5 years ago
Përreth tre orë, opozita e bashkuar shqiptare protestoi këtë të martë kundër qeverisë Rama, duke kërkuar rrëzimin e kryeministrit dhe njëjtë si edhe në tubimet e tjera, një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Nisi me fjalime të kandidatëve që nuk pranuan mandatet, dhe më tej me fjalë të ish-deputetëve, ndërsa brenda kuvendit u mbajt seancë plenare, ku ndër të tjera u betuan edhe 4 deputetët e rinj nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kandidatë në listat e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, që pranuan mandatin pas dorëheqjes së opozitës. Fjalimi përmbyllës i kryedemokratit Lulzim Basha në podiumin para Parlamentit të rrethuar nga forca të shumta policore, ndryshoi rrjedhën e protestës.

I bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve ta ndjekin në një marshim drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, aty ku udhëheqësit politikë, dorëzuan në bllok dorëheqjet e kandidatëve në listat vijuese. Më tej, në marshimin kthyes drejt selisë së Partisë Demokratike, Basha mbajti edhe fjalimin që përmbylli protestën ku ftoi qytetarët që më 16 mars në protestën para godinës së kryeministrisë "të përcjellin Ramën".

Tubimi nuk u karakterizua nga dhuna, pati vetëm disa situata tensioni me protestues që vazhdimisht hodhën tymuese, kapsollë dhe pankarta në drejtim të kordonit me forca policie përballë Parlamentit. Rreth 1.600 efektivë garantuan mbarëvatjen e protestës. Nuk pati asnjë tentativë të protestuesve për të carë kordonin e policisë, ndaj nuk u hodh në asnjë rast gazi lotsjellës si në tubimet e shkuara, që kanë përshkallëzuar në dhunë.

Të gjitha hyrjet në pedonalen që të çon tek Kuvendi u bllokuan me kordonë hekuri dhe forca policie, për të siguruar kalimin pa incidente të deputetëve. Kryeministri Rama hyri me eskortë përmes pedonales, ndërsa shumë deputetë e ministra të tjerë, kaluan në këmbë, pa shënuar incidente.

Në protestë mbajti fjalë edhe djali i deputetit të vrarë, Azem Hajdari, ndërsa motra e tij deputete, Rudina Hajdari, deri më tani ka dalë kundër vendimit të PD-së, dhe nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke ju bashkuar kolegëve, Myslim Murrizi po nga PD, dhe Lefter Koka i LSI, që nuk dogjën mandatin.

Recommended