Sot zgjedhjet per komunën e Tuzit

  • 5 years ago
Nik Gjeloshaj, kandidati i koalicionit të partive shqiptare ndër të parët që votoi në zgjedhjet lokale të kësaj të diele në Tuz të Malit te Zi. Për të parën herë pas 62-vitesh, banorët vendas do të kenë kreun e tyre të komunës. Prej 1 shtatorit 2018, Tuzi u shkëput si komunë nga Podgorica, një kërkese disadekadëshe e komunitetit shqiptar.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit. Rreth 12 mijë votues të regjistruar do të kenë mundësi të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët e preferuar deri në orën 19.00. Gjeloshaj foli për disa parregullsi gjatë procesit të votimit, por shprehu bindjen në fitoren e tij.

Nik Gjeloshaj, kandidat i koalicionit shqiptar: Një apel të madh për të gjithë votuesit që të dalin në mënyrë masive të votojnë, të shfrytëzojnë rastin të jenë pjesë e këtij vendimi historik. Mendoj që të gjitha këto që po ndodhin nuk mund të ndalin këtë proces, fitoren e koalicionit që përfaqësoj unë.

Në mbështetje të tij kanë ardhur edhe shumë shqiptarë nga diaspora. Komuniteti shqiptar është më i madhi në këtë zonë. Krahas drejtuesit, banorët do të votojnë edhe për anëtarët e këshillit komunal. Në koalicion janë 3 parti shqiptare, Alternativën, Lidhjen Demokratike dhe Unionin Demokratik shqiptar. Krahas grupimit shqiptar, në garë janë edhe 4 koalicione të tjera, mes të cilave edhe social-demokratët e presidentit Gjukanoviç.

Tv Klan