E tmerrshme në Vlorë, nipi hajdut vret gjyshin me plumb në kokë dhe akuzon hallën

  • 5 years ago
Nipi arrin të vrasë me armë gjyshin e tij dhe me gjakftohtësi të plotë, të marrë policinë, por edhe të japë një rrëfim të shkurtër për mediat, duke sajuar historinë se gjyshi i tij u grabit nga persona të paidentifikuar, dhe se ai e shpëtoi në kohë duke e çuar në ambulancë.

Vrasja e mbrëmshme e 69-vjeçarit Vangjel Kapllani në Vlorë, është bërë nga nipi i tij 17-vjeçar, Vangjel Kapllani. Nipi, që ishte pagëzuar me të njëjtën emër si gjyshi i tij, e ka survejuar të moshuarin, pasi ka pasur të dhëna se ai kishte një sasi të konsiderueshme lekësh në banesën, ku jetonte i vetëm. Adoleshenti ka shkuar në banesën e gjyshit dhe ka marrë prej andej sasinë prej 1 milion lekësh (të vjetra). Por prania e tij në banesë nuk ka kaluar pa u vënë re nga gjyshi i tij, i cili me sa duket e ka kundërshtuar dhe sipas të dhënave të policisë, ka shumë gjasa që të ketë pasur konfrontim fizik. 69-vjeçari Kapllani është qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar një plagë të madhe.

Pas kryerjes së krimit, i riu ka telefonuar ambulancën e spitalit të Vlorës, duke kërkuar ndihmë pasi siç ai deklaroi fillimisht - kishte gjetur gjyshin e tij në banesë të përgjakur, dhe nuk e dinte se kush e kishte kryer këtë krim të rëndë. Fillimisht nga ana e mjekëve u dyshua se 69-vjeçari Vangjel Kapllani ishte qëlluar me një mjet të fortë, levë, por pas ekspertizës mjeko-ligjore dhe skanerit në kokë që i është bërë të moshuarit, ka rezultuar se ai kishte në kokë një predhë pistolete. Ndërkohë autori i krimit ishte ai që ka shoqëruar gjyshin me ambulancë drejt spitalit të Vlorës, madje ka pasur dhe kohë të japë dhe një intervistë për një gazetar. Pas kësaj 17-vjeçari është marrë përgjatë gjithë natës në pyetje nga policia e Vlorës, ku para grupit hetimor ai ka filluar të japë të dhëna kontradiktore. Adoleshenti, pranoi se kishte dijeni për këtë ngjarje dhe se kush ishte personi që mund të kishte kryer grabitjen me pasojë vrasjen e gjyshit të tij. Ai i ka treguar policisë së Vlorës se Kapllani ishte grabitur nga halla e tij, motra e vetë viktimës. Anëtarët e grupit hetimor kanë shtangur pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se motra e viktimës, ishte e moshuar dhe nuk kishte mundësi fizike të realizonte një krim të tillë. Por adoleshenti ka këmbëngulur se ishte pikërisht halla e tij që ka kryer këtë krim të rëndë.

Recommended