Flakë dhe përplasje, mbyllet pas tre orësh protesta e opozitës para Kuvendit
  • 5 years ago
Pati tension dhe përplasje me forcat e policisë. Shashka, kapsollë, tymuese dhe djegie gomash. Protesta e opozitës para Parlamentit, teksa deputetët e mazhorancës mbajtën të vetëm seancë plenare për votimin e dy strukturave të rëndësishme të reformës në drejtësi, u përmbyll pas tre orëve. U hodh sërish gaz lotsjellës pasi simpatizantët e opozitës së bashkuar tentuan të çajnë kordonin e parë të policisë para Kuvendit. U udhëhoqën nga liderët e forcave opozitare, Lulzim Basha i PD-së, Monika Kryemadhi e LSI-së, ish-kryeministri Sali Berisha dhe aleatët.

Policia bëri thirrje të vazhdueshme me megafon për tërheqjen e protestuesve, ruajtjen e qetësisë dhe shmangien nga dhuna, ndërsa nuk pati asnjë thirrje të tillë nga ana e udhëheqësve politikë të opozitës. Tentuan të mbanin të bllokuar brenda parlamentit deputetët e mazhorancës, duke thënë se nuk do të largoheshin nga tubimi para Kuvendit. Por gjithçka u përmbyll pa përshkallëzuar në dhunë, me largimin e deputetëve me makina nga Parlamenti, dhe me përmbylljen e protestës nga një fjalim i kryedemokratit Basha: Ikën si minjtë, por beteja popullore për rrëzimin e qeverisë Rama, vazhdon - tha ai.

Më herët, teksa hynin në Kuvend, u sulmuan nga protestuesit, ministri i Turizmit Blendi Klosi, deputetët Paulin Sterkaj dhe Sadri Abazi.

Forca të shumta të policisë rrethuan Kuvendin për të ruajtur sigurinë dhe për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. U sulmuan nga simpatizantët të cilët i qëlluan me shishentë mbushura me ujë ngjyrues.

Parlamenti u mblodh këtë pasdite në orën 17:00 pas anulimit të seancës paraardhëse kur opozita protestoi një javë më parë. Tubimi i sotëm u organizua jashtë axhendës së valës së protestave të opozitës, në përgjigje të vendimit të Konferencës së Kryetarëve për ta mbajtur sot seancën e anuluar të enjten e shkuar.
Recommended