Report Tv-Ja se si të fundit e listave mund të djegin planin e Bashës
  • 5 years ago
Plani i Bashës dhe partive të tjera opozitare për të djegur mandatet ka mundësi të dështojë për shkak të një procedure ligjore të cilën nuk e kanë parashikuar. Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thanë se procedura e djegies së mandateve bëhet në këtë komision në mënyrë individuale dhe jo ?en block? në bazë të Kodit Zgjedhor. Pra çdo deputet i opozitës duhet te paraqesë letrën e dorëheqjes në Kuvend. Kuvendi ka 30 dite kohë për të lajmëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ fillon zëvendësimin e deputetëve që lanë mandatin me kandidatët që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 duke i marrë një nga një sipas renditjes në lista për çdo qark.

Lista e Partisë Demokratike rezulton të jetë me 194 kandidatë, nga të cilët fituan vetëm 43, që do të thotë se ka 151 kandidatë që mund të zëvendësojnë 43 të ikurit.

Normalisht pjesa e sipërme e listës përbëhet nga kandidatë më besnikë të partisë që logjikisht do të respektojnë linjën e partisë, ndërsa pjesa e poshtme, shpesh mbushet nga partitë me figura dytësore. Janë pikërisht disa nga këto figura që përballë rrethanave të paparashikueshme në momentin e kandidimit për të fituar një vend si deputet, mund të prishin planin e Bashës duke pranuar mandatin. Në këtë mënyrë, jo vetëm do të merrnin një rol politik dhe social që as nuk do ta kishin menduar, por edhe një rrogë mujore dhe një seri përfitimesh të tjera shumë të kënaqshme deri edhe një pension si deputet.

Edhe pse politikisht vendimi i Bashës vazhdon të ketë peshën e tij, praktikisht mund të ndodhë që Partia Demokratike të vazhdojë pa dashje të ketë në parlament përfaqësuesit e vet, duke i kthyer kështu legjitimitet formal Kuvendit.
Recommended