Rrezohet kandidatura e Bahri Shaqirit per kryetar te KLSH
  • 5 years ago
Deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave votuan kundër propozimit të Presidentit Ilir Meta, për të pranuar si kandidaturë për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Bahri Shaqiri.

Të pranishëm në seancën e votimit ishin dy deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto dhe Përparim Spahiu. Të dy deputetët u shprehën pro kësaj kandidature, ndërsa demokratët munguan në këtë seancë.

Më herët gjatë raportimit në Komision, Z. Bahri Shaqiri kërkoi mbështetjen e kandidaturës së tij, duke i kujtuar deputetëve kontributin që i ka sjellë vendit gjatë një dekade që punoi në krye të Shërbimit Informativ dhe paanshmërinë, e cila jo pak herë i prishi qetësinë.

Vetë mazhoranca vlerësoi në raportin final që do t?i dorëzojë Kuvendit, se Bahri Shaqiri nuk ka eksperiencën e punës në fushën financiare, një kriter ligjor që kërkohet për të mbajtur mandatin 7-vjeçar në institucionin që kontrollon financat e vendit.

Raporti i Komisionit përgjegjës për të përzgjedhur kandidatin e KLSH-së do t?i dorëzohet parlamentit dhe do të hidhet në votim. Mazhoranca paralajmëroi këtë të martë se nuk do të mbështesë figurën e Bahri Shaqirit. Votën kundër tij e dha edhe deputeti Anastas Angjeli, gjithashtu kandidat për të marrë këtë post.

Mazhoranca refuzoi edhe propozimin e parë të Presidentit për kreun e KLSH-së, pasi Vitore Tusha u zgjodh në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Aktualisht në krye të këtij institucioni drejton zv/kryetarja Lindita Milo.

Tv Klan
Recommended