FMN: Borxhi publik eshte me i larte se ne dokumentet zyrtare
  • 5 years ago
Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet në raportin për Shqipërinë, të shkuar në bazë të Artikullit 4 dhe të miratuar nga Bordi i Drejtorëve në Washington, pjesë e programit të post monitorimit që ka me vendin tonë, se borxhi publik në fund të vitit 2018 është në nivelin 70.5% të prodhimit kombëtar dhe jo 68.6% sa parashikohet nga ana e qeverisë shqiptare. Kjo për FMN-në përbën një problem për vonesën në objektivat e vendosura për ta ulur borxhin nën 60% në vitin 2021. Sipas llogaritjeve të Fondit, 1.5% e prodhimit kombëtar apo 200 milionë euro, në fund të Shtatorit ishin detyrime të prapambetura.

?Detyrimet e prapambetura kryesisht të lidhura me rimbursimin e TVSH-së, pagesat e qeverisë qendrore dhe vendore për ndërtimin e rrugëve kanë minuar besimin në administratën tatimore dhe qeverinë gjerësisht.?

Por autoritetet janë shprehur se kanë hyrë në marrëveshje me kompanitë për të shlyer këto detyrime. FMN gjithashtu zbulon se dokumentet, të cilat priten të miratohen si projekte në Partneritet Publik Privat për këtë vit do të arrijë si vlerë në 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

?Rritja e shpejtë e projekteve me PPP ka ngritur rreziqe fiskale. Përveç stokut ekzistues të tyre që janë 31% e prodhimit kombëtar, dokumentet e buxhetit 2019 parashikojnë një vlerë të tyre në 15% të PBB-së. ?

Stafi i FMN-së sugjeron që qeveria të ulë përjashtimet fiskale, sidomos ato që lidhen me tatimin mbi vlerën e shtuar dhe sugjeron vendosjen e taksave të tjera në fushën e ndotjes së mjedisit, naftës dhe automjeteve. Pavarësisht këtyre problemeve, FMN thotë se rritja ekonomike ka qenë në nivele të larta në 2018-n, ndërsa parashikon një ulje të ritmit të saj në 3.7% për këtë vit.

?Shqipëria ka patur një rritje të fortë ekonomike gjatë dy dekadave të fundit dhe ka zbutur dobësitë në sistemin makroekonomik që dolën pas krizës së eurozonës. Në të njëjtën kohë, të ardhurat për frymë janë sa çereku i mesatares europian dhe sa gjysma e shteteve të reja anëtare.?

Në fund të raportit, FMN vlerësoi politikën monetare të ndjekur nga Banka Qendrore, si dhe ndërhyrjet e saj në tregun e këmbimit valutor për të mos prekur nivelin e inflacionit dhe nxit reformat për deurizimin e ekonomisë. FMN i kërkon Bankës së Shqipërisë të forcojë sistemin mbikëqyrës të bankave tregtare dhe të vazhdojë adresimin e uljes së kredive me probleme.

Tv Klan
Recommended