Prokuroria nis hetimet per figuren e Sheshit
  • 5 years ago
Problemet me pastërtinë e figurës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Bujar Sheshi dhe procedurat e verifikimit për të shkuarën e tij, do të jenë objekt hetimi nga Prokuroria e Tiranës.

Burime nga akuza e kryeqytetit konfirmuan për Tv Klan se në verifikim do kalojë plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi si dhe vonesat në kthimin e përgjigjes nga autoriteti mbi informimin e dosjeve te ish-sigurimit.Vetë Bujar Sheshi, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, hodhi poshte akuzat se ka qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. Ai e quajti një inskenim me prapavijë politike për të penguar reformën në drejtësi.

"Kjo nuk është thjesht për të më luftuar mua, por KLP në prag të zgjedhjes së SPAK dhe Prokurorit të Përgjithshëm".

Më herët, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se përzgjedhja e Bujar Sheshit për ta pranuar si kandidat për KLP-në u bazua në Relacionin e Burimeve Njerëzore që mban datën 1 Nëntor 2018, sipas të cilit Bujar Sheshi plotësonte kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë kandidat i KLP.

Kërkesa e organit të akuzës për verifikimin e pastërtisë së figurës për Sheshin është bërë në fund të Tetorit, por autoriteti i dosjeve ka kthyer përgjigje vetëm më 23 Janar, plot një muaj nga konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Prokuria jep edhe argumentin pse nuk priti përgjigjen e autoritetit të dosjeve.

"Në kushtet kur verifikimi në AISSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj, brenda afateve ligjore të detyrueshme, Prokurori i Përgjithshëm ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së".

Në deklaratën e bërë publike në faqen Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit,  thuhet se gjatë verifikimit ka ndeshur në ekzistencën e dokumenteve kontradiktore sa i takon të dhënave për Bujar Sheshin, si dhe me faktin se ai është tërhequr për bashkëpunim nga ish-Sigurimi kur ishte në moshë të mitur nën 18 vjeç.  Sipas këtij institucioni, vonesat në përgjigje lidhen me mungesën e infrastrukturës.

Komisioni i Monitorimit të Reformës në Drejtësi ka zhvilluar një mbledhje urgjente per rastin dhe ka dalë me disa rekomadime për institucionet. Kreu i KLP Gent Ibrahimi tha se qëndrimin e tij për këtë rast, ky institucion do ta bëjë të ditur në mbledhjen e radhës.

Tv Klan
Recommended