Report TV - Presidenti Meta vizitë zyrtare në Malin e Zi: Përfaqësim më përfshirës të shqiptarëve

  • 5 years ago
Presidenti Ilir Meta u prit në një takim nga kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, në vijim të vizitës së tij shtetërore në Mal të Zi. Gjatë takimit, presidenti Meta përgëzoi kryeministrin Markoviç për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.

Më tej, presidenti Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.

Nga ana e Tij, kryeministri i Malit të Zi e informoi Metën për disa projekte konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarë, siç është ndërtimi i rrugës Tuz-Grabon, rikonstruksioni i shkollës së fshatit Dacaj në Rozhajë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale, etj.

Në fund, kreu i shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar në Mal të Zi vazhdon të kontribuojë pozitivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha proceset demokratizuese dhe zhvillimore, duke qenë faktor kyç për qasjen euro-atlantike dhe europiane të vendit.

Recommended