Vazhdon aksioni ndaj lëndëve plasëse, kontrollohen 1136 subjekte, 3 dërgohen në Prokurori

  • 6 years ago
643 kapsolla, si dhe 487 fishekzjarre janë bllokuar nga Policia e Shtetit dhe forcat zjarrfikëse gjatë kontrolleve për heqien nga tregu të tyre si të rrezikshme për jetën pasi përmbajnë lëndë plasëse. Policia bën me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara në të gjithë vendin, tre subjekte të cilat tregtonin kapsollat dhe fishekzjarre me lëndë plasëse janë dërguar në Prokurori për t'u vlerësuar nëse kanë konsumuar apo jo vepër penale.

Po ashtu gjatë kontrolleve, policia është ndalur dhe tek masat shtesë të ligjit për sigurinë publike, nëse subjektet tregtare kanë sisteme sigurie kamerash si dhe pajisjet e fikseve të zjarrit. Një javë nga kontrollet në terren kanë kaluar në filter 1136 subjekte tregtare nga dyqane, markete, supermarkete dhe tregje të shumicës.

Ky kontroll i territorit për heqjen nga tregu të materialeve pirroteknike si kapsolle e fishekzjarre, që përdoren masivisht në festat e fundvitit, vjen pas plagosjes së efektives së polices Ina Nuka gjatë protestës së banorëve të "Astirit" tek parlamenti; dëmtimit në gishta që ajo pësoi pas sulmit me një kapsollë.

Policia e Shtetit i bën apel prindërve të tregohen të kujdesshëm duke i mbajtur fëmijët larg këtyre materialeve të rrezikshme, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë rastet kur konstatojnë tregtimin e tyre pranë numrit 112 dhe Komisariatit Dixhital.