Nisma e Xhafajt për Vetting në Polici, Sandër Lleshaj e konfirmon procesin në takimin me Sobotka-n
  • 5 years ago
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj konfirmon nisjen e procesit të Vetting-ut në Policinë e Shtetit. Në takimin që zhvilloi sot me Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, Ministri i Brendshëm konfirmoi se Vetting-u në drejtësi, do të pasohet nga Vetting-u në Policinë e Shtetit, duke shtuar se nderi dhe integriteti i punonjësit të Policisë janë themelore për të patur një trupë policore profesionale dhe të shëndetshme.

Duke u ndaluar tek reformat e realizuara, z.Sobotka theksoi se Vetting-u në sistemin e drejtësisë është një pikë kyçe në këtë proces, dhe në këtë kontekst, vlerësoi dhe inkurajoi përpjekjet e Shqipërisë për të vijuar më tej.

Gjithashtu, Presidenti Sobotka tha se lufta kundër krimit të organizuar, jo më kot është një pikë e rëndësishme në kërkesat e BE-së, duke nënvizuar se rezultatet do të bindin edhe vendet ende skeptike. Ai deklaroi se Austria mbetet një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, e këtu veçoi jo vetëm marrëdhëniet bilaterale, por edhe në një kontekst më të gjerë rajonal, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme për këtë takim.

Më tej Lleshaj shtoi se lufta kundër krimit të organizuar do të njohë të tjera rezultate. Ministri i konfirmoi bashkëbiseduesit se Task Forca Speciale, në kuadër të Operacionit ?Forca e Ligjit?, si një punë e nisur nga ministri paraardhës, do të vijojë më me forcë e ritëm, duke përfshirë gjithë strukturat dhe agjencitë ligj zbatuese.

Në vijim ai u ndal edhe tek lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Gjatë bisedës, ministri i Brendshëm parashtroi kërkesën për asistencë logjistike dhe trajnime për Policinë e Shtetit. Ai e njohu kreun e parlamentit austriak me vizionin e tij, për modernizimin e Policisë së Shtetit. Presidenti i Këshillit Kombëtar të Austrisë vlerësoi maksimalisht punën që është kryer për menaxhimin e kufijve dhe flukseve migratore, prej Policisë së Shtetit.
Recommended