Zbulohet artefakti i rrallë historik, prezantohet sot nga kryeministri Edi Rama
  • 5 years ago
Në mbyllje të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe në prag të 575-vjetorit të shpalosjes së flamurit të qëndresës dhe mëvetësisë nga Heroi ynë Kombëtar në vitin 1443 në Krujë, kryeministri i vendit, Edi Rama, prezanton sot në Qendrën për Hapje edhe Dialog një artefakt të rrallë historik.

?Report Tv? siguron këtë artefakt, i cili vërteton jehonën edhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në të gjallë të tij.

Bëhet fjalë për një hartë detare të realizuar në vitin 1455, nga hartografi gjovanes Bartolomeo Pareto për Papën Nikolla V. Harta detare 1 e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Romës, paraqitet si një portulan me finesë të madhe edhe me cilësi teknike të përkryer.

Në kartolinën që shoqëron hartën detare shkruhet, se: ?Harta shquan nga prania e mjaft elementëve dekorative dhe e vendeve me interes të posaçëm, mes të tjerash ajo rrëfen bashkëkohësi ngjarjesh historike, në mënyrë të veçantë trysnin Osmane në Europë, e posaçërisht në Gadishullin e Ballkanit, ku në hapësirën e Arbërit bie në sy, toponimi i pazakontë ?Scanderbeco??.

Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu la ushtrinë turke në Hungari për të luftuar osmanët nga Kruja në 28 nëntor të vitit 1443. Ndërsa, 2018-ta është shpallur Viti Mbarëkombëtar i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, për 550-vjetorin e tij të ndarjes nga jeta.

Harta detare prezantohet në COD sot në orën 18.00.
Recommended