Shqipëria 60 vite në UNESCO, koleksioni i rrallë me ikona të artit bizantin

  • 6 years ago
Ekspozita ?Dritare në artin mesjetar shqiptar? është çelur në sallën ?Miro?, të UNESCO-s në Paris. Kjo ekspozitë është çelur me rastin e 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO. Të pranishëm në inaugurimin e ekspozitës kanë qenë, zëvendës drejtori i Përgjithshëm për Kulturën në UNESCO, Ernesto Renato Ottone Ramirez, ministrja e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro, por nuk munguan as personalitete e ambasadorë në UNESCO.

Ministrja Kumbaro gjatë fjalës së hapjes së kësaj ekspozite ka zgjedhur, që të ndalet tek motoja e Shën Terezës. ?Çfarë mund të bëjmë për të promovuar paqen në botë? Kjo është çështja që UNESCO-ja shtroi për zgjidhje që kur u krijua në vitin 1945, fill pas luftrave që përgjakën botën. Një përgjigje për këtë na e ka dhënë Shenjtorja jonë shqiptare, Nënë Tereza: Shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde!?, thotë Kumbaro.

Materialet e kësaj ekspozite përbëjnë një rrugëtim në historinë e pikturës bizantine dhe pas bizantine të zhvilluar në territorin shqiptar, duke pasur si qëllim që të ftojë studiues të fushës në një eksperiencë të rrallë në njohjen e mjeshtërve eponim dhe anonim, si dhe atelieve më të spikatura të kohës, nëpërmjet veprës së trashëguar prej tyre.

Zakonet, traditat, mënyra e jetesës, të shprehura në arkitekturën e shtëpive, qendrave historike apo objektet e rralla, pra në trashëgiminë materiale dhe shpirtërore shqiptare tanimë janë pjesë e UNESCO-s. Parku kombëtar i Butrintit u shpall Monument Kulture në vitin 1948, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua, si e tillë në vitin 1992, kur u përfshi në listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.

Berati dhe Gjirokastra janë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si një sit i vetëm, për shkak të ngjashmërive që këto qytete paraqesin jo vetëm nga ana arkitekturore, por sidomos nga ana kulturore e historike.

Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, ndërsa Berati i është bashkuar kësaj liste në vitin 2008. Koleksioni i rrallë i ikonave të artit bizantin e postbizantin do të qëndrojë i ekspozuar deri në datë 24 nëntor në Paris.

Recommended