Protesta tek 'Unaza e Re'/ Banorët bllokojnë sërish rrugën, përplasen me policinë

  • 5 years ago
TIRANË- Banorët e Astirit kanë rinisur sot protestën në segmentin e Unazës së Re kundër projektit të Unazës së Madhe. Report Tv ka mësuar se banorët kanë hedhur kapsolla dhe tymuese në rrugë. Banorët po marshojnë sërish drejt ish-sheshit Shqiponja, njësoj si dje, ku bllokuan edhe rrugën tek Dogana duke krijuar kaos dhe trafik.

Në mbështetje të tyre kanë shkuar sërish deputetët demokratë, Klevis Balliu dhe Flamur Noka. Policia ka ndërhyrë për të liruar rrugën por ka hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të largohen. Në ndihmë të policisë kanë mbërritur edhe FNSH. Ndërsa mësohet se janë shoqëruar disa persona në komisariat.

Kjo është dita e 16-të e protestës së tyre, ndërkohë që ditën e sotme ka reaguar sërish edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për këtë çështje. Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një deklarate u ka bërë një thirrje të gjithë banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe nuk kanë marrë ende kontakt me ARRSH-në, të paraqiten pranë institucionit me të gjitha dokumentet përkatëse.

Recommended