Abuzimi me rrugën Tiranë-Elbasan/ Bie akuza e korrupsionit, Dashamir Xhika kërkon lirinë
  • 5 years ago
TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencën për dosjen e korrupsionit me autostradën Tiranë-Elbasan. Tashmë dosja, ku pjesë e hetimeve është edhe ish-kreu i ARRSH, Dashamir Xhika kalon te Gjykata e Tiranës, ndërsa ndaj bie akuza e korrupsionit. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se tani Dashamir Xhika akuzohet vetëm për shpërdorim detyre. Ndërkohë që ish- kreu i Rrugëve vijon që të kërkojë lirimin nga burgu.

Sot ishte planifikuar për t?u zhvilluar seanca gjyqësore, por prokurorët nuk u paraqitën, ndërsa gjyqtarja Rexhina Memlika shtyri seancën. Xhika ishte i pranishëm në seancën e sotme, ndërsa Report Tv sjell pamjet ku shfaqet në gjykatë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e liroi Xhikën më 23 korrik me një vendim që u mor në fshehtësi, por pas apelimit nga prokuroria, gjykata e riktheu në burg në 1 shtator. Megjithatë, Xhika vijon betejën me drejtësinë për liri.

Ish-kreu i Autoritetit Shqiptar të Rrugëve u prangos më 2 shkurt 2018, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Mbi ish-numrin 1 të ARRSH-së, rëndon akuza e shpërdorimit të fondeve për aksin Tiranë-Elbasan, një rrugë e nisur para shumë vitesh dhe e papërfunduar deri më sot. Ndërtimi ishte parashikuar të kushtonte 407 mln $, por në auditin e ministrisë së Infrastrukturës, rezultoi se kishte një dëm prej 54 milionë $.
Recommended