Abuzimet me rrugen Tirane-Elbasan
  • 5 years ago
Krimet e Rënda kanë shpallur moskompetencën për hetimin e dosjes së abuzimeve me ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Hetimi i është deleguar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të kryejë veprimet hetimore jo më për korrupsion për zyrtarët e arrestuar, por për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

I arrestuar për këtë çështje është ish-kreu i autoritetit rrugor Dashamir Xhika, i cili këtë të hënë kërkoi ndryshimin e masës që e mban në qeli prej 10 muajsh. Por seanca është shtyrë pasi mungonin prokuroret e çështjes dhe u caktua data 22 Nëntor për zhvillimin e saj. Më herët gjykata e krimeve të renda ka ndryshuar masat e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për dy ish-vartësit e Xhikës, Aksel Qurduka dhe Albens Alite.

Këta tre persona u arrestuan në Shkurt të këtij viti për akuzat e korrupsionit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 37 milionë dollarësh. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, por edhe me të tjerë zyrtarë të cilët ende nuk ishin identifikuar, kishin krijuar një skemë korruptive, ku vidhnin paratë që duhet të shkonin për të përfunduar rrugën. Por këtë Nëntor hetuesit nuk gjeten prova që këta zyrtarë të akuzoheshin për korrupsion duke e deleguar dosjen tek prokuroria e kryeqytetit.

Tv Klan
Recommended