Apeli le ne burg pa afat Ervis Martinajn
  • 5 years ago
Deri në përfundim të hetimeve, Ervis Martinaj do të qëndrojë në qeli. Gjykata e Apelit e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë të dhënë nga Gjykata e Tiranës. 36-vjeçari, sipas prokurorisë, rezulton i përfshirë në vrasjen e Fabian Gaxhës në ngjarjen e 4 Tetorit në zonën e ish-Bllokut, ndërsa prokuroria ka ngritur edhe 5 akuza të tjera për të.

"Togat e zeza janë bindur nga provat e sjella nga prokuroria, e cila kërkoi arrest me burg pa afat për Martinajn duke rrezuar vendimin e Shkallës së Parë, e cila vendosi masën e sigurisë 30 ditë burg, dy javë më parë".

Kjo kohë i ka shërbyer prokurorit për ta pasuruar në kërkesën për caktim e masës, prova të reja që e implikojnë Martinajn në 6 akuza. Prokuroria e Tiranë dyshon se Martinaj ka kryer veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, pastrim parash, falsifikim të dokumenteve, organizim të llotarive të palejuara, vënie në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara dhe fshehje e të ardhurave.

Gjykata këtë të hënë ka lexuar vetëm dispozitivin e vendimit, pa bërë publike provat që e kanë bërë të bindet për të ndryshuar masën e sigurisë. Prokuroria dyshon se Martinaj ka patur rol në sherrin që u mbyll me një vrarë dhe 2 të plagosur.

Prokuroria solli si provë edhe përgjimet telefonike ku ai ka njoftuar miqtë e tij, para se të shkonte në lokal dhe i ka kërkuar të afrohen të armatosur. Në dalje nga seanca, avokati i Ervis Martinajt nuk ka komentuar vendimin, por mësohet se do ta ankimojë atë në Gjykatën e Lartë. Për ngjarjen e 4 Tetorit vazhdojnë të jenë në kërkim Ervin Mata, Fabjol Alushi dhe komandoja Mervjol Bilo.

Tv Klan
Recommended