Balla: Gjurma e Unazes me firmen e Bashes

  • 6 years ago
Të gjitha akuzat që opozita bën në foltoren e selisë së saj, shumica i ka dhënë përgjigje në Parlament.

Taulant Balla flet për protestën që ka ngjallur projekti i Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas tij, banorët që preken nga ky projekt që është i sigurt që do të realizohet, duhet t?i kërkojnë përgjigjet nga Lulzim Basha i cili përcaktoi gjurmën ku do të kalojë kjo Unazë kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

"Është e turpshme që pas historive pa fund, dështimi tek Parku i Tiranës dhe këndet e lojërave, dështimi tek Sheshi Skënderbej dhe Teatri, tani kemi dhe një betejë idioteske sikurse është kjo për të penguar vijimin e ndërtimit të Unazës së Tiranës.

Aq e pakuptime është sa kryetari në detyrë i opozitës Lulzim Basha ka qenë pjesë e përcaktimit të gjurmës ku kalon Unaza me firmë dhe me vulë, qoftë si ministër i Transporteve deri në vitin 2007, por edhe si kryetar i Bashkisë nga viti 2011 deri në vitin 2015. Banorët që sot ankohen tek Lulzim Basha duhet të informohen nga Basha se ai ka vënë gjurmët. Unaza do të vijojë, është jetësore për Tiranën".

Ministri i Financave, teksa saktëson se brenda mazhorancës ka një debat të shëndoshë lidhur me projektbuxhetin,  thotë se opozita kundërshton marrëveshjet koncesionare kryesisht në infrastrukturë pasi do të penalizojë qytetarët që përfitojnë nga këto rrugë. Arsyeja, sipas tij, sepse nuk i dhanë votën demokratëve në zgjedhjet e fundit.

"Çfarë keni me dibranët? Pse jeni kundër Rrugës së Arbrit? Po me kuksianët, shkodranët, lezhianët ça keni"?

Socialistët i kërkuan opozitës që të rikthehet në Parlament për të miratuar javën e ardhshme projektbuxhetin e 2019 por dhe ligjet e mbetura pezull të reformës në drejtësi.

Tv Klan

Recommended