Report TV - Gjirokastër, policia qëllohet me kallash gjatë ceremonisë për ushtarët grekë

  • 6 years ago
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bularat në njësinë administrative Dropull në Gjirokastër. Pak minuta para nisjes së ceremonisë përkujtimore të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke, një banor i fshatit ka qëlluar me automatic në ajër e më pas drejt makinës së policisë.

Report Tv ka mësuar se autori është 35-vjeçari, Konstantinos Kacifas, që ka qëlluar me armë të llojit kallashnikov. Gazetari i Report Tv, Piro Nase raporton se dyshohet se Kacifas është larguar drejt Greqisë.

Policia është vënë në ndjekje të tij, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se ishte i pirë. Kacifas njihet në fshat si një person me probleme mendore. Në zonë po patrullojnë helikopterë për të bërë të mundur kapjen e tij. Forcat RENEA kanë mbërritur në zonë dhe po punohet për kapjen e tij.

Njoftimi i plotë:

Bularat, Gjirokastër.

Rreth orës 10:00 në krye të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tye.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë.

Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat "Shqiponja" dhe sherbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër kanë shkuar forcat speciale Renea.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.

Recommended