Zbardhet perplasja me arme ne ish-Bllok

  • 6 years ago
Këto që shihni në ekran janë tre personat e shpallur në kërkim nga policia pas përplasjes me armë që la 1 të vdekur e 2 të plagosur, në një lokal në zonën e ish-Bllokut.

I pari quhet Ervin Mataj, i dyti Merviol Bilo, komandoja që mendohet se ka qëlluar me armë dhe i treti Fabiol Alushi.

Në konfliktin e armatosur janë përfshirë 6 persona, pjesëtarë të dy grupeve.

Në njoftimin zyrtar thuhet se viktimë ka mbetur Fabian Gaxha, ndërsa të plagosur kanë mbetur Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, të cilët kanë qenë bashkë të ulur në një tavolinë në momentin kur ndodhi ngjarja.

Hato ka qenë i akuzuar për një vrasje në Shkodër në vitin 2014.

Fillimisht palët janë konfliktur verbalisht.

Më pas mes tyre ka shpërthyer një konflikt fizik që në pak sekonda ka degjeneruar në përdorimin e armëve.

Nuk është e qartë se kush nga të 6 personat e përfshirë në konflikt ka përdorur armët. Por grupi hetimor dyshon se ka qenë një nga tre personat e shpallur në kërkim, ai që ka qëlluar mbi grupin rival.

Policia sekuestroi 11 gëzhoja në vendin e ngjarjes, një pistolete tip Glok, 10 mijë euro dhe 3 automjete.

Pak orë pas krimit, forcat e rendit gjeten një motor të braktisur në zonën e Kopshtit Zoologjik, që dyshohet mund të jetë përdorur nga dy prej autorëve për t?u larguar nga vendi i ngjarjes.

Ervis Martinaj mbahet në kujdesin e mjekëve në një spital privat dhe në masa të rrepta sigurie nga ana e policisë.

I plagosuri tjetër, Eljon Hato, po kurohet në spitalin e Traumës në kryeqytet, po ashtu nën masa të shtuara të policisë.

Policia ka sekuestruar pamje të shumta filmike të bizneseve pranë lokalit ku ndodhi ngjarja.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se filmimet kanë ndihmuar në identifikimin e 3 personave të shpallur në kërkim, po ashtu edhe dëshmitë e personave të tjerë të pranishëm në lokal në momentin e konflikti.

Tv Klan

Recommended