Report Tv-Me këmbën protezë, por merr pjesë në maratonën e Tiranës, historia frymëzuese e Lazimit

  • 6 years ago
Tirane- Këto kohë Lazim Latifin e gjen çdo pasdite anë liqenit artificial të Tiranës. Pas përfundimit të punës, pasditja e tij i dedikohet stërvitjes. Ai do të marrë pjesë për herë të dytë në maratonën e Tiranës.

?Vjet kam marrë për herë të parë, por kam qenë me karrocë, duke qenë invalid, sa kisha bërë dhe protezën e këmbës, nuk e ndieja veten të gatshëm të marr pjesë në këmbë, për shkak se duhet një protezë më e sofistikuar?

Lazim Latifi, pjesmarrës në Maratonë

Rreth dy vite më parë Lazimi ka pësuar një aksident, si pasojë e të cilit, ai humbi këmbën e majtë. Por, kjo që ndodhi nuk e ndali 47 vjeçarin që të ecte përpara dhe të jetë pjesë e garave të sportit. Lazimi tregon se është shumë i apasionuar për sportin, madje edhe pas aksidentit, ai thotë se nuk është ndalur për asnjë moment së menduari për rëndësinë e jetës dhe pozitivitetin për të ecur përpara.

?Ndjeva veten që më ndryshoi jeta në 180 gradë dhe në atë moment vura synim edhe pse e pashë se do mbesja me një këmbë gjithë jetën. Thashë: unë këmbën se kam, jam gjallë dhe do vazhdoj jetën si kam qenë më parë?

Lazim Latifi, pjesmarrës në Maratonë

Lazimi do të jetë pjesë e garës në 2.3 kilometra, së bashku me shumë pjesmarrës të tjerë.

?Gjithë konkurrentëve iu uroj fitore. Ne jemi të gjithë njëlloj dhe jemi për fitore, jemi për fitore me vetveten. Nuk është një fitore se do arrij i pari apo i dyti, edhe i fundit të arrij për mua është një fitore se arrita të jem, unë jam!

Lazim Latifi, pjesmarrës në Maratonë

Recommended