Degjese publike per inceneratorin e Sharres

  • 6 years ago
Projekti për ndërtimin e dy inceneratorëve në zonën e trajtimit të mbetjeve në qarkun e Tiranës ka kaluar dëgjesën e parë publike, me ekspertë dhe banorë të zonës. Ekspertët e mjedisit kanë përllogaritur ndikimin që do të sjellë në mjedis realizimi i këtij projekti. Sipas tyre, ndotja e ajrit aktualisht është mbi normat e lejuara, por zhvillimin i teknologjisë së re për përpunimin e mbetjeve pritet ta çojë atë nën nivelin e përcaktuar nga Bashkimi Europian.

"Të gjitha vlerat që raporton impianti që do të shkarkohen nga ky incinerator janë nënfishe të vlerave të lejuara nga direktiva e Bashkimit Europian".

"40-45 janë nivelet e lejuara maksimale për zhurmën urbane natën. Duke iu referuar zonës me të afërt, duhet të jetë në nivele që nuk shkojnë më shumë se 30-35 decibel".

Administratori i kompanisë koncensionare, Integradet Energy tregoi për të pranishmit mënyrën e funksionimit të këtij impianti. Ndërtimi i këtij impianti që mendohet të jetë i teknologjisë më të mirë do të prodhojë edhe energji elektrike.

"Ky është një projekt i rëndësishëm që përfshin jo vetëm ata që merren drejtpërdrejt me të, por edhe atyre që do e realizojnë projektin. Kur flasim për trajtimin e mbetjeve duhet të mendojmë si diçka që e marrim dhe çfarë do të bëjmë me të. Ndaj e shikojmë këtë si pjesë të një sistemi nga administrimi i mbetjes tek trajtimi. Mbetjet trajtohen seleksionohen dhe shikohen ato që mund të riciklohen".

"Pas djegies kemi rikuperimin e temperaturës e cila lejon prodhimin e energjisë. Produktet e djegies kalojnë në një fazë  tjetër pastrimi, duke sjellë një mjedisor veçanërisht tek uji, i cili bëhet më i pastër".

Banorët e zonës ngritën dy shqetësime, punësimin e tyre dhe shpronësimet. Në përgjigje të tyre, përfaqësuesit e kompanisë sqaruan se 40% e punëtorëve do të jenë nga komuniteti, duke cilësuar së punësimi, ndërtimi i rrugës dhe një kopsht për fëmijë janë pjesë e përgjegjësisë sociale të tyre. E sa i takon shpronësimeve, ajo është një çështje që varet nga qeveria shqiptare. Diskutimet për ndërtimin e inceneratorit do të vijojnë në disa dëgjesa.

Recommended