7 kandidate per nje vend ne Gjykaten Kushtetuese
  • 6 years ago
Thirrjes së Kuvendit për të aplikuar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese i janë përgjigjur 7 kandidatura. Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Ilir Panda, Sinan Tafaj, Theodhori Sollaku, Valbona Bala dhe Vasil Bendo janë juristët që kanë dorëzuar dokumentacionin pranë protokollit të Kuvendit.

Kjo është e dyta herë që Kuvendi hap procedurën për plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë dhe po ashtu edhe Presidenti i Republikës. Këto dy institucione dhe Gjykata e Lartë, sipas Kushtetutës kanë të drejtë të përzgjedhin nga 3 kandidatë secili për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, pasi më parë ato të jenë filtruar nga Këshilli i Emerimeve në Drejtësi.

Organi i ri i ngritur pas reformës në drejtësi duhet të rinovohet çdo vit. Por edhe pse anëtarët e KED janë zgjedhur me short që në Janar dhe kanë zhvilluar një mbledhje konstituimi, e kanë të pamundur të nisin nga puna. Më parë të gjithë anëtarët e këtij organi duhet të kalojnë procesin e Vettingut. Vetë kryetari i KED, Artan Broci u rrëzua nga komisionet e Vettingut po ashtu dhe Altina Xhoxhaj, Gentian Trenova dhe Shkëlzen Selimi, anëtarja tjetër Rovena Gashi u dorëhoq nga ky proces. Janë kualifikuar dy anëtare, Fatjona Memcaj dhe Vitore Tusha dhe presin ende të kalojnë në filtrat e këtij komisioni 4 anëtare te tjera.

Kjo situatë e bën të pamundur që KED të nisë shqyrtimin e kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese, e cila aktualisht për shkak të Vettingut dhe dorëheqjeve, ka vetëm 2 nga 9 anëtarë në detyrë.
Recommended