Ndryshimi i kufijve, Hahn: Te ruhet stabiliteti ne rajon

  • 6 years ago
Edhe pse i rezervuar për të komentuar debatin e hapur për korrigjimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn deklaron se çdo lloj marrëveshje dypalëshe duhet të ketë si objektiv kyç që të gjenerojë stabilitet në rajon dhe jo të kundërtën. Hahn e thotë këtë ndërsa shton se qëndrimi i BE është i qartë, asnjë kandidat për në këtë familje nuk mund të bëhet pjesë e saj nëse më parë nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet për kufijtë me fqinjët.

"Nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment përveç atij që është parashkruar në strategjinë e zgjerimit: nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhura marrëdhëniet dypalëshe. Ajo që ka vlerë për ne është stabiliteti në të gjithë rajonin.

Duhet të mbajmë parasysh që çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit por duhet të jetë krejt e kundërta, duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet në rajon. Dhe cilido që të jetë objektivi përfundimtar ky duhet të jetë objektivi kyç. Sa më shumë stabilitet në të gjithë rajonin duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe".

Kryeministri Rama, i cili ende nuk ka bërë një koment për këtë çështje, zgjodhi sërish ta shmangë përgjigjen, por duke deklaruar se qëndrimi i komisionerit ka mbështetjen e tij.

"Firmos për çka tha komisioneri".

I pranishëm në takimin e Kryeministrave të rajonit në Durrës, kreu i qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj e gjeti me vend të ripërsëriste qëndrimin e tij, të ndryshëm me atë të Presidentit Thaçi që e ka hedhur për diskutim publik propozimin për korrigjimin e kufijeve.

"Kosova i ka kufijtë e saj, ne i respektojmë këta kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizajnimin e tyre por të respektojmë kufijtë që kemi".

Komisioneri Hahn mirëpret takimin e dy Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç në 7 Shtator, por është i bindur se nuk do të jetë takimi i fundit mes tyre dhe se kjo çështje do të marrë kohë deri sa të gjejë zgjidhje përfundimtare.cc

Recommended