Berisha: Ndryshimi i kufijve, ide e Drashkoviç

  • 6 years ago
Diskutimet për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ish-kryeministri Sali Berisha i sheh si një përpjekje për të vënë në jetë planin e hershëm të Serbisë për të aneksuar territore shqiptare. 

"Kjo ideja e kufijve që serviret si ide shqiptare dhe me një dhimbshuri të madhe për Preshevën, është absolutisht falsitet. Kjo është ide e mirëfilltë e Beogradit, e shtruar tek unë në Selanik nga Vuk Drashkoviç, e propozuar në mënyrë të përsëritur, e kundërshtuar në mënyrë kategorike nga Tirana zyrtare, por dhe Prishtina zyrtare. Ndërsa tani na u gdhi si një ide shqiptare. Kjo është një ide serbomadhe, me të cilën asnjë shqiptar nuk duhet t'a mbështesi".

Pas një takimi me Albin Kurtin në Tiranë, Berisha tha se ideja e korrigjimit të Kosovës dhe Serbisë, rrezikon të destabilizojë rajonin.

"Si Mitrovica me tre komuna janë të paktën gjashtë të tjera në një distancë jo shumë të largët, pak qindra kilometra ose më pak nga ai rajon. A do hymë ne tani të hapim zinxhirin e një seri konfliktesh për ambicien e një Serbie të Madhe, të cilët kësaj here, me një operacion të paimagjinueshëm, nuk e shprehin më vetë, por e shprehin me argatët e tyre në Prishtinë".

Ish-Kryeministri ndan të njëjtën bindje me opozitën në Prishtinë, se Presidenti Thaçi nuk është i autorizuar të diskutojë integritetin territorial të Kosovës.

"Nuk ka kush autoritet të diskutojë, të vërë në tavolinë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Nuk ka asnjëri tager, cilido qoftë ai, nuk ka kush tagër të diskutojë kufijtë e Kosovës. Nuk ka asnjë të drejtë Serbia të pretendojë kufijtë e Kosovës. Nuk ka Kosova asnjë pëllëmbë tokë, as dhuratë nga Tito, as nga Rakoviçi dhe nga askush tjetër".

"Lëvizja Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të vazhdojnë të insistojnë për një rezolutë e cila e mbron Republikën e Kosovës, angazhohet për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, por në të njëjtën kohë kërkon edhe që të ndërpritet kjo lojë e rrezikshme e Presidentit Thaçi, i cili hyn në dialog pa parime me Serbinë dhe pa mandat nga Kuvendi i Kosovës", tha Albin Kurti.

Berisha thotë se dialogu duhet të vazhdojë për të zgjidhur rreth 30 marrëveshje që janë lënë në harresë nga Prishtina dhe Beogradi që kanë të bëjnë me të zhdukurit e luftës apo problemet reale të qytetarëve.

Tv Klan

Recommended