Dixhitalizimi/ AMA shtyn deri në 10 shtator mbylljen e transmetimeve analoge

  • 6 years ago
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur të shtyjë me 41 ditë procesin e digjitalizimit për qarqet Tiranë dhe Durrës, duke ju dhënë kohë televizioneve të transmetojnë në rrjetet analoge deri në 10 shtator, dhe jo në 31 korrik siç ishte parashikuar.
Vendimi i AMA-s vjen pas shqetësimit publik të shprehur nga Report TV, se disa operatorë lokalë kishin pasur probleme teknike në linjën e ofruar nga RTSH, si në qarqet ku digjitalizimi ka përfunduar, po edhe në Tiranë gjatë fazës së testimeve.
Në qarqet Fier, Berat dhe Korçe ku ky proces ka përfunduar, janë shfaqur shume probleme teknike, pasi RTSH nuk garanton cilësinë e transmetimit, duke errësuar sinjalin e transmetimit të TV lokale, e duke dëmtuar produktin mediatik.
Probleme të tilla u ndjenë dhe në Tiranë, ku testimet e transmetimeve shfaqën shumë defekte.
Në kuadër të përmbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë e Durrës, Autoriteti i Mediave Audiovizive, realizoi disa takime me operatorët kombëtare, rajonalë e lokalë, dhe vendosi që transmetimet analoge të mos mbyllen në 31 korrik siç ishin paracaktuar, por në 10 shtator.

Recommended