Report Tv - Prokurorët dhe gjyqtarët do paguhen mbi 3 mijë $ në muaj

  • 6 years ago
Ndryshimi i niveleve të pagave për sistemin gjyqësor do të zbatohet pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucion i cili do të marrë formë menjëherë pas përfundimit të procesit të Vetingut për grupin e parë prioritar, i përbërë nga 57 prokurorë dhe gjyqtarë. Ky është plani i qeverisë shqiptare i cili pasqyrohet në një raport të Ministrisë së Drejtësisë për monitorimin e strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë 2017-2020 dhe planit të veprimit për vitin 2017.

Rritja e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët parashikohet në ligjin për statusin e magjistratëve, ndërsa kushtëzohet me kalimin me sukses të Vetingut. Duke llogaritur shtesat për vjetëri pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40 % të pagës për delegimin, vështirësitë etj., paga e një gjyqtari dhe prokurori shkon rreth 3 mijë USD në muaj, ndërsa kostoja vjetore për punonjësit e drejtësisë së re shkon 45 milionë USD në vit.

Njerëzit e drejtësisë përfitojnë edhe një sërë benefitesh të tjera si kredi të buta për shtëpi, shkollim për fëmijët, ruajtjen e familjes etj. Në raport thuhet se është bërë një vlerësim paraprak edhe për koston financiare për organet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen në muajt në vijim. ?Vlen të theksohet se MD në bashkëpunim me kuvendin dhe me asistencën e EURALIUS, OPDAT, USAID kanë bërë një vlerësim paraprak për identifikimin dhe koston financiare që do të shoqërojë ngritjen e të gjitha organeve të reja (KLGJ, KLP, KED, ILD, dhe institucionet kundër Korrupsionit: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar/Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Njësia e Posaçme Hetimore/Byroja Kombëtare e Hetimit)?, thuhet në raport.

Recommended