Hetimet per 3.4 mln eurot shtrihen jashte vendit

  • 6 years ago
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për bllokimin e 3,4 milionë eurove në Portin e Durrësit do të fokusohet jashtë vendit. Provat e vetme që ka grupi hetimor në vendin tonë, që mund të zbardhin dërguesit dhe pritësit e parave janë dëshmitë e 4 të arrestuarve.

Deponimet e Edi Likës, djalit të tij Klevit, shoferit Arben Ceka, si dhe Albana Mollaymerit nuk kanë shërbyer për identifikimin e personave të tjerë, të cilët janë pjesë e këtij grupi kriminal. Ata kanë identifikuar si blerës dhe pritës të mjeteve dy kushërinjtë e shpallur në kërkim, Alfred dhe Elvis Vladi, por hetuesit kanë dyshime se ata do kryenin vetëm transportin pasi poseduesit e parave janë të tjerë persona.

Për këtë arsye, Prokuroria do të nisë letër-porosi për të kërkuar informacione drejt 4 vendeve nga ku dyshohet se mund të jenë ngarkuar apo të kenë kaluar paratë. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se informacione do të kërkohet nga Anglia,  Belgjika, Gjermania dhe Italia. Pikërisht në këto shtete dyshohet se mund të kenë kaluar 3,4 milionë Euro.

Në Belgjikë do të kërkohen të dhëna për mënyrën e blerjes së makinave nga dy kushërinjtë Vladi. Pritet të saktësohen lëvizjet e tyre në këtë vend, personat që mund të kenë takuar atje si dhe mënyrën e blerjes së makinave. Informacione do të kërkohet në Gjermani, ku janë kryer të gjitha procedurat e shit-blerjes së mjeteve, si dhe itinerari që është ndjekur.

E njëjta kërkesë është nisur edhe për autoritetet italiane për të zbardhur momentin e imbarkimit të automjeteve në tragetin e linjës Bari-Durrës. Ndërsa në Angli do të kërkohen informacione për aktivitetin e Elvis Vladit, i cili rezulton të ketë qenë i arrestuar atje për trafik droge.

Recommended