Proteste e dhunshme kunder tarifes per Rrugen e Kombit
  • 6 years ago
Stacioni i ngritur nga firma koncesionare për kalimin me pagesë në Rrugën e kombit është thuajse i shkatërruar. Mijëra banorë të zonës dhe sipërmarrës nga Kosova e Shqipëria i vunë flakën sporteleve ku bëhej pagesa për taksën e Rrugës së Kombit.

Protestuesit u grumbulluan rreth orës 11:00 të së shtunës në protestë kundër tarifës së vendosur nga qeveria për kalimin e Rrugës së Kombit. Edhe pse fillimisht u bë thirrje për një protestë paqësore, tubimi degjeneroi në përplasje mes policisë dhe qytetarëve.

Mbi 4 furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë dhe dhjetëra efektive të policisë që ishin stacionuar në Kalimassh nuk mundën të menaxhonin situatën e rënduar dhe irritimin e protestuesve.

Pasi u sulën ndaj kabinave të firmës koncesionare, protestruesit u vunë flakën dhe shkatërruan trarët e kalimit.

Nga përplasja me policinë raportohet për disa të lënduar mes protestuesve, por edhe efektivëve të ndërhyrjes së shpejtë.

Vetëm pas 2 orë e 30 minutash situata u qetësua. Rreth orës 14:30 protestuesit ranë dakord të ndërpresin tubimin për të diskutuar me koncesionarin dhe qeverinë kërkesën për heqjen e tarifës.

Për shkak të situatës së rëndë, qarkullimi në të dy krahët e rrugës u bllokua, duke shkaktuar radhë të gjatë automjetesh që prisnin të kalonin kufirin.
Recommended