Ish-Kryeministri i Suedise: Deklarata e Rames, e papritur. Jo ndryshim kufijsh ne Ballkan

  • 6 years ago
Carl Bildt, ish-Kryeministri i Suedisë, në një intervistë për Klan Plus, e ka cilësuar si të papritur deklaratën e Kryeminsitrit Rama për të pasur president të përbashkët me Kosovën. Gjithashtu ai i bëri thirrje politikës kosovare të votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e zi.
Në një takim me studentët, ish-kryeministri suedez Carl Bildt është shprehur në mënyrë kategorike kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin perëndimor, lojë që do sillte gjakderdhje dhe situatë të paparashikueshme. Ai kujtoi se shumica e kufijve në Evropë janë ndryshuar në mënyrë të përgjakshme ndërsa tani janë kthyer në element thelbësor të shoqërive të integruara. Ish-kryeministri suedez i porositi ballkanasit që të zgjidhin në plan afatgjatë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të përkushtohen tek reformimi i sistemit ekonomik dhe atij gjyqësor për të ecur shpejt drejt BE-së.
Në intervistën ekskluzive për Klan Plus, Bildt tha se deklarata e kryeministrit Edi Rama për një president të përbashkët të shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë ishte e papritur dhe nuk është mirëpritur nga shqiptarët përtej kufirit.
"Nuk jam unë që mund ta gjykoj zotin Rama për këtë çështje, por kam vënë re se kjo ide nuk ka ngjallur entuziazëm në Kosovë".
Bildt u bëri thirrje deputetëve kosovarë që të miratojnë demarkacionin me Malin e Zi për të marrë liberalizimin e vizave.
"Ata duhet ta ratifikojnë marrëveshjen me Malin e Zi në Kuvend. Është një marrëveshje që tashmë konsiderohet e përfunduar, mjaftueshëm e pranueshme për palët, ndaj shpresoj që do ta ratifikojnë atë".

Recommended