Report TV - Raporti për kanabisin, Xhafaj takon homologun italian, Minniti

  • 6 years ago
TIRANE - Ministri i Brendshëm italian, Marco Minniti ka nisur zyrtarisht vizitën në Tiranë. I shoqëruar nga ambasadori italian, Alberto Cutillo, takimin e parë ai e ka pasur me homologun e tij, Fatmir Xhafaj, ndërsa më pas mbërriti në Presidencë te Meta.

Takimi është zhvilluar në Ministrinë e Brendshme me dyer të mbyllura, ndërsa ka zgjatur rreth 45 minuta. Mësohet se ministri italian i ka prezantuar Xhafajt gjetjet e raportit të Guardia di Finanza për kultivimin e kanabisit.

Dokumenti i siguruar ekskluzivisht nga Report Tv një ditë më parë, flet për rënie të ndjeshme të territorit të kultivuar me lëndë narkotike në krahasim me vitin 2016. Nga monitorimi i territorit nga avionët e policisë italiane, vetëm 1% i territorit të zbuluar në vitin 2016, rezulton të jetë kultivuar me kanabis në 2017. Raporti do të bëhet publik zyrtarisht në konferencën përmbyllëse të Minnitit ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, sot në orën 11:30.